17 – Fetë e rreme
Këto janë fjalët e shenjta të Zotit të Plotfuqishëm.
Ne nuk jemi të interesuar për fjalët e njerëzve.
Për këdo që e do Zotin... kjo është ajo që thotë Zoti për: Fetë e rreme.
Këto janë fjalët e shenjta të Zotit të Plotfuqishëm.
Ne nuk jemi të interesuar për fjalët e njerëzve.
Për këdo që e do Zotin... kjo është ajo që thotë Zoti për: Fetë e rreme.
Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin, kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
”Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
”Në qoftë se një burrë apo një grua është medium apo magjistar, ata do të dënohen pa tjetër me vdekje; do t'i vrisni me gurë; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta".
”Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"".
”Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut". Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar. Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit". Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.
”Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd; ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".
”Pastaj Abrahami i tha Perëndisë: "Vaj medet, që Ismaeli të mund të jetojë para teje!". Por Perëndia u përgjegj: "Jo, por Sara gruaja jote do të lindë një bir, dhe ti do ta quash Isak; dhe unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij. Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh. Por besëlidhjen time do ta përfundoj me Isakun që Sara do të lindë në këtë kohë, vitin e ardhshëm".
”Atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë,
”Moisiu dhe Aaroni vajtën pra te Faraoni dhe vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Aaroni e hodhi bastunin e tij përpara Faraonit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ai u bë gjarpër. Atëherë edhe Faraoni thirri të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë. Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre. Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.
”Por magjistarët e Egjiptit bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; dhe zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.
”Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit. Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit.
”Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit. Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët. Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti.
”Dhe magjistarët nuk mundën të qëndronin para Moisiut për shkak të ulcerave, sepse magjistarët dhe tërë Egjiptasit ishin prekur nga ulcerat.
”Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
”Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari.
”Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën.
”Kush i bën flijime një perëndie tjetër, veç Zotit, do të shfaroset.
”Do t'u kushtoni kujdes tërë gjërave që ju kam thënë dhe nuk do ta shqiptoni emrin e perëndive të tjerë; të mos dëgjohet të dalë nga goja juaj.
”Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: "Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur". Aaroni iu përgjigj atyre: "Hiqni unazat prej ari që janë në veshët e grave tuaja, të bijve tuaj, dhe të bijave tuaja dhe m'i sillni mua". Kështu tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit, i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".
”u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"". Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë. Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t'i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".
”Moisiu u kthye, pra, te Zoti dhe tha: "Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari.
”por rrëzo altarët e tyre, copëto shtyllat e tyre të shenjta dhe rrëzo shëmbëlltyrat e tyre, (sepse nuk do t'i përulesh një perëndi tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është "Xhelozi", është një Perëndi xheloz). Mos bëj asnjë aleancë me banorët e vendit sepse, kur ata kurvërohen te idhujt e tyre dhe ofrojnë fli idhujve të tyre, ndokush prej tyre të fton dhe ti ha nga flitë e tyre, dhe merr nga bijat e tyre për bijtë e tu, dhe vajzat e tyre të kurvërohen te idhujt e tyre dhe t'i shtyjnë bijtë e tu të kurvërohen te idhujt e tyre. Nuk do të bësh idhull me metal të shkrirë.
”Ata nuk do t'i ofrojnë më flijimet e tyre demonëve, prapa të cilëve janë poshtëruar. Ky do të jetë për ta një ligj i përjetshëm, për gjithë brezat e tyre.
”Mos iu drejtoni idhujve dhe mos bëni perëndi me metal të shkrirë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
”Nuk do të hani asgjë që përmban gjak. Nuk do të zbatoni asnjë lloj shortarie ose magjie.
”Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.
”Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
”"Do t'u thuash bijve të Izraelit: Cilido nga bijtë e Izraelit ose nga të huajt që banojnë në Izrael do që t'i japë Molekut ndonjë nga trashëgimtarët e tij, do të dënohet me vdekje; populli i vendit do ta vrasë me gurë. Unë vet do ta kthej fytyrën time kundër këtij njeriu dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij, sepse i ka dhënë Molekut disa nga trashëgimtarët e tij për të ndotur shenjtëroren time dhe për të përdhosur emrin tim të shenjtë.
”Dhe në rast se një person u drejtohet mediumeve dhe magjistarëve për t'u kurvëruar pas tyre, unë do ta kthej fytyrën time kundër këtij personi dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij.
”Në qoftë se një burrë apo një grua është medium apo magjistar, ata do të dënohen pa tjetër me vdekje; do t'i vrisni me gurë; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta".
”"Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.
”Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujtë tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej.
”do të dëboni të gjithë banorët e vendit, do të shkatërroni të gjitha figurat e tyre dhe të tëra statujat e tyre prej metali të shkrirë, do të rrënoni të gjitha vendet e larta të tyre.
”Me qenë, pra se nuk patë asnjë figurë ditën që Zoti ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, tregoni kujdes të veçantë për shpirtërat tuaja, me qëllim që të mos shthureni dhe të mos gdhendni ndonjë shëmbëlltyrë, në trajtën e ndonjë figure: paraqitjen e një burri apo të një gruaje, paraqitjen e një kafshe që është mbi tokë, paraqitjen e një zogu që fluturon në qiell, paraqitjen e çdo gjëje që zvarritet mbi dhe, paraqitjen e një peshku që noton në ujërat poshtë tokës; sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t'u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë;
”Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.
”Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje. Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës. Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t'u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
”Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë, (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.
”Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t'u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu, sepse do t'i largonin bijtë e tu nga unë për t'u shërbyer perëndive të tjera, dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t'ju shkatërronte menjëherë. Por me ta do të silleni kështu: do të shkatërroni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do të rrëzoni Asherimet e tyre dhe do t'u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura.
”Do të shkatërroni tërësisht të gjitha vendet ku kombet që jetoni duke përzënë u shërbejnë perëndive të tyre; mbi malet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë që gjelbëron. Do të rrënoni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do t'u vini flakën Asherimëve të tyre, do të rrëzoni shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të tyre, do të zhdukni emrin e tyre nga këto vende. Nuk do të veproni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj,
”ruhu të mos biesh në kurthin e ngritur, duke ndjekur shembullin e tyre, pasi ata janë shkatërruar para teje, dhe të informohesh mbi perënditë e tyre, duke thënë: "Si u shërbenin këto kombe perëndive të tyre? Edhe unë do të veproj kështu". Ti nuk do të veprosh kështu me Zotin, me Perëndinë tënd, sepse ata me perënditë e tyre kanë bërë tërë ato gjëra të neveritshme për Zotin dhe që ai i urren; kanë djegur madje në zjarr bijtë dhe bijat e tyre për nder të perëndive të tyre.
”"Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli, dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: "Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t'u shërbejmë", ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
”Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t'u shërbejmë perëndive hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës, mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.
”dhe që shkon t'u shërbej perëndive të tjera dhe bie përmbys para tyre, para diellit, hënës apo tërë ushtrisë qiellore, gjë që unë nuk të kam urdhëruar, dhe që të është referuar dhe që ke dëgjuar të flitet për të, atëherë hetoje me kujdes; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurtë se ky akt i neveritshëm është kryer në Izrael, do ta çosh në portat e qytetit tënd atë burrë ose grua që ka kryer këtë veprim të keq, dhe do ta vrasësh me gurë atë burrë ose atë grua; dhe kështu ata do të vdesin
”Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti; dhe për shkak të kësaj neverie, Zoti është duke i përzënë para teje.
”Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë për të cilën unë e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet".
”"Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen".
”Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme. U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën.
”Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t'i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s'është në vete.
”Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu.
”Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte.
”Pastaj bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalit dhe Ashtarothit, perëndive të Sirisë, perëndive të Sidonit, perëndive të Moabit, perëndive Kështu zemërimi i Zotit kundër Izraelit u ndez dhe ai i dorëzoi në duart e Filistejve dhe në duart e bijve të Amonit.
”Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: "Kemi mëkatuar ndaj teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë dhe i kemi shërbyer Baalit".
”Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj unë nuk do t'ju çliroj më. Shkoni, pra, t'u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t'ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!". Bijtë e Izraelit i thanë Zotit: "Kemi mëkatuar; bëna çfarë të duash, por na çliro sot, të lutemi shumë". Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit që u trishtua për vuajtjet e Izraelit.
”pastaj Filistejtë e morën arkën e Perëndisë, e çuan në tempullin e Dagonit dhe e vendosën pranë Dagonit. Të nesërmen banorët e Ashdodit u ngritën herët, por Dagoni qe rrëzuar me fytyrë për tokë përpara arkës së Zotit. Kështu e morën Dagonin dhe e vunë përsëri në vendin e tij. Të nesërmen u ngritën herët, dhe ja Dagoni qe rrëzuar përsëri me fytyrën për tokë përpara arkës së Zotit, kurse koka e Dagonit dhe të dy pëllëmbët e duarve të tij u gjetën të prera mbi prag; nga Dagoni kishte mbetur vetëm trungu. Prandaj, deri ditën e sotme, priftërinjtë e Dagonit dhe tërë ata që hyjnë në tempullin e Dagonit nuk vënë këmbë mbi pragun e Dagonit në Ashdod. Pastaj dora e Zotit rëndoi mbi banorët e Ashdodit dhe i shkretoi, i goditi me hemoroide Ashdodin dhe territorin e tij. Kur banorët e Ashdodit panë që punët shkonin në atë mënyrë, ata thanë: "Arka e Perëndisë të Izraelit nuk duhet të mbetet në mes nesh, sepse dora e tij ka qenë e rëndë me ne dhe me Dagonin, perëndinë tonë".
”Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
”Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.
”Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t'u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume". Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them". Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç'ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".
”Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij. Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e Sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e Amonitëve. Kështu Salomoni bëri atë që ishtë e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David. Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre.
”sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së Sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.
”Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: "Éshtë shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!".
”Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherime në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër. Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.
”Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë. Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë. Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato. Ju do t'i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!".
”Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin". Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar. Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar". Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, deri sa të kullonin gjak. Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin.
”Atëherë Elia i tha tërë popullit: "Afrohuni pranë meje!". Kështu tërë populli iu afrau dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur. Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael". Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri. Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: "Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi olokaustin dhe mbi drutë". Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë. Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën.
”Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre". Atëherë ra zjarri i Tzotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë. Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: "Zoti është Perëndia!. Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t'ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.
”Ai u suall në mënyrë të neveritshme duke u dhënë pas idhujve, ashtu si kishin bërë Amorejtë që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.
”Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë deri sa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".
”pastaj çuan jashtë shtyllat e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën. Pastaj shkatërruan statujën e Baalit dhe shembën tempullin e tij, duke e katansdisur në një vend ku grumbullohen plehrat e kështu mbetet edhe sot e kësaj dite.
”dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit; u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: "Mos bëni një gjë të tillë!".
”Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre. Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t'i imitonin. Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit; kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij. Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
”Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.
”Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael. Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,
”I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.
”Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta, kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.
”Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u muarr me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
”"Meqenëse Manasi, mbret i Judës, ka kryer këto gjëra të neveritshme (ka bërë një të keqe më të madhe se ajo që kanë bërë Amorejtë, që ishin para tij, dhe me anë të idhujve të tij e ka bërë edhe Judën të kryejë mëkate), kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të sjell mbi Jeruzalemin dhe mbi Judën një fatkeqësi të tillë, sa që kushdo që ta dëgjojë do t'i tronditen veshët.
”Ndoqi plotësisht rrugën e ndjekur nga i ati, u shërbeu idhujve të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi.
”Ai zhduku gjithashtu priftërinjtë idhujtarë që mbretërit e Judës kishin caktuar për të djegur temjan në vendet e larta të qyteteve të Judës e në rrethinat e Jeruzalemit, dhe ata që i digjnin temjan Baalit, diellit, hënës, shenjave të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiellit. E çoi Asherahun nga shtëpia e Zotit jashtë Jeruzalemit në përruan e Kidronit; e dogji pranë përroit Kidron, e bëri hi dhe hirin e tij e hodhi mbi varret e njerëzve të popullit. Shembi edhe shtëpitë e njerëzve që merreshin me kurvërinë e shenjtë dhe që ndodheshin në shtëpinë e Zotit, ku gratë endnin çadra për Asherahun. Solli tërë priftërinjtë nga qytetet e Judës dhe përdhosi vendet e larta ku priftërinjtë kishin djegur temjan, nga Geba deri në Beer-Sheba. Rrëzoi gjithashtu vendet e larta të portave, që ishin në hyrje të portës së Jozueut guvernator i qytetit, që ishin në të majtë të atij që hyn në portën e qytetit.
”Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
”Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,
”Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.
”dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë.
”Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët.
”Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.
”U ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: "Me qenë se perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t'i ofroj atyre flijime që të më ndimojnë edhe mua". Por qenë pikërisht ata që shkaktuan shkatërrimin e tij dhe atë të të gjithë Izraelit. Ashazi mblodhi gjithë veglat e shtëpisë së Perëndisë, i bëri ato copë-copë, mbylli portat e shtëpisë të Zotit, ndërtoi altare në çdo kënd të Jeruzalemit, dhe në çdo qytet të Judës vendosi vende të larta për t'u djegur temjan perëndive të tjera, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë të etërve të tij.
”Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. Ai rindërtoi vendet e larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalët, bëri Asherimët dhe ra përmbys përpara tërë ushtrisë së qiellit dhe u vu në shërbim të saj.
”I kaloi bijtë e tij nëpër zjarr në luginën e birit të Hinomit; përdori magjinë, shortarinë, dhe shtrigërinë, dhe konsultoi mediumet dhe magjistarët. Bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke provokuar zemërimin e tij. Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur, idhullin që kishte bërë, në shtëpinë e Perëndisë dhe për të cilën Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë shtëpi dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur midis tërë fiseve të Izraelit, do të vë emrin tim përjetë;
”Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t'i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.
”provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre. Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
”Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.
”U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.
”u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.
”Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin, kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
”Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre. Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
”Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si Filistejtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve.
”Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre.
”Në këtë ditë njerëzit do t'ua hedhin minjve dhe lakuriqve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t'i adhuruar,
”Në rast se ju thuhet: "Këshillohuni me mediumet dhe me magjistarët, që murmuritin dhe përshpëritin, përgjigjuni: "A nuk duhet një popull të konsultojë Perëndinë e tij? A duhet, vallë, t'u drejtohet të vdekurve për llogari të të gjallëve?". Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.
”Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet? Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin". Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.
”Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.
”Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t'i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!", do t'u thoni atyre.
”Atë ditë secili do të flakë idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që duart tuaja kanë bërë duke mëkatuar për ju.
”Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t'i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.
”Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: "Ju jeni perënditë tona!".
”Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër.
”Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.
”Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp. Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi? Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht. Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet. Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi. Ai pret për vete disa kedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet. Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t'u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.
”Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im". Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.
”Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,
”Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë.
”Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë. E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t'i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.
”Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë. Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz. Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t'i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t'u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh. Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë".
”Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit, dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: "Kemi shpëtuar!", pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme. Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë", thotë Zoti.
”Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë mjellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua.
”dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.
”Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë. E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi. Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t'i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë".
”Kështu do t'u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".
”Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë. Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.
”Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.
”"A mundet të shpikë njeriu perëndi, që në të vërtetë nuk janë perëndi?
”sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve; i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend. Prandaj ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "kur ky vend nuk do të quhet më "Tofet", as "Lugina e birit të Hinomit", por "Lugina e masakrës".
”Shtëpitë e Jeruzalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastra ashtu si vendi i Tofetit që janë të gjitha shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan tërë ushtrisë së qiellit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera".
”Mos shkoni mbas perëndive të tjera për t'u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t'ju bëj asnjë të keqe".
”Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!". Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t'ju largojnë nga vendi juaj, që unë t'ju shpërndaj dhe ju të vdisni.
”Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur. Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".
”Çdo njeri atëherë bëhet budalla, pa njohuri, çdo argjendar ka turp për shëmbëlltyrën e tij të gdhendur, sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është një gënjeshtër, dhe nuk ka frymë jetësore në to. Janë kotësi, vepra mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.
”dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë gratë që qepin rripa në të gjitha kyçet e dorës dhe bëjnë vela për kokat e çdo lartësie për të gjuajtur shpirtërat. A besoni ju të gjuani shpirtërat e popullit tim dhe të shpëtoni jetën tuaj?
”Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër rripave tuaja me të cilat ju gjuani shpirtërat sikur të ishin zogj; do t'i shkëpus nga krahët tuaja dhe do t'i çliroj shpirtërat, ato shpirtëra që ju i gjuani si zogj.
”"Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i bën të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre? Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t'i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij, për të ndikuar në zemrën e atyre të shtëpisë së Izraelit që janë larguar prej meje për shkak të të gjithë idhujve të tyre.
”Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Konvertohuni, largohuni nga idhujtë tuaj dhe hiqni fytyrën nga të gjitha gjërat tuaja të neveritshme. Sepse, në qoftë se një njeri çfardo i shtëpisë së Izraelit apo disa të huaj që banojnë në Izrael largohen nga unë, ngre idhujt e tij në zemrën e tij dhe vë para tij pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, që të konsultohet me mua nëpërmjet atij, unë, do t'i përgjigjem unë, Zoti, nga vetja ime.
”aaa see Në fakt mbreti i Babilonisë qëndron në kryqëzimin e rrugës, në krye të dy rrugëve, për të bërë shortari: ai tund shigjetat, konsulton idhujt shtëpiakë, shqyrton mëlçinë.
”Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: "Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t'i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët. Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.
”Atëherë erdhën magijstarët, astrologët, Kaldeasit dhe shortarët, të cilëve u tregova ëndrrën, por ata nuk mundën të më bënin të njohur interpretimin e saj.
”Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.
”Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre.
”do të zhduk nga dora jote artet magjike dhe ti nuk do të kesh më shortarë; do të zhduk në mes teje figurat e tua të gdhëndura dhe shtyllat e tua të shenjta, dhe ti nuk do të biesh më përmbys përpara veprës së duarve të tua. Do të çrrënjos në mes teje Asherahët e tu dhe do të shkatërroj qytetet e tua.
”Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur? Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!", apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t'ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete.
”"Do të shtrij dorën time kundër Judës dhe kundër të gjithë banorëve të Jeruzalemit dhe do të shfaros nga ky vend mbeturinat e Baalit, emrin e priftërinjve idhujtarë, bashkë me priftërinjtë, ata të cilët bien përmbys mbi tarraca përpara ushtrisë së qiellit, ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit,
”Sepse idhujt familjarë rrëfejnë gjëra të kota, shortarët ndjekin veprime të rreme dhe tregojnë ëndrra të rreme, japin ngushëllime të kota; për këtë arsye ata po enden si dhentë, janë të pikëlluar, sepse janë pa bari.
”Juda ka vepruar me pabesi dhe një veprim i neveritshëm është kryer në Izrael dhe në Jeruzalem, sepse Juda ka përdhosur vendin e shenjtë të Zotit, që ai e do dhe është martuar me bijën e një perëndie të huaj. Zoti do të shfarosë nga çadrat e Jakobit atë që vepron në këtë mënyrë, atë që përgjon, atë që përgjigjet dhe atë që i ofron një blatim Zotit të ushtrive.
”Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
”Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''. Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''. Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''.
”Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
”''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
”Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
”Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë.
”Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''.
”Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''. Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari. Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.
”Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus, i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë, por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi. Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha: ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit? Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe''. Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore. Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.
”Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë. Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën. Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë: ''O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.
”Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj. Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''. Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast.
”Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ''O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë''. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë; dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij". Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu. Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.
”Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi.
”Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
”që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.
”Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një. Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),
”Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.
”Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka? Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve. A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?
”Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit. Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: ''Mallkuar qoftë Jezusi!''; edhe asnjë nuk mund të thotë: ''Jezusi është Zot'', veç se në Frymën e Shenjtë.
”Dhe ç'harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç'pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ''Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im''.
”Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t'u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.
”Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër, i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.
”Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,
”Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve,
”Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,
”Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
”Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin. Kushdo që mohon Birin, s'ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
”Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë.
”Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.
”Djema, ruani veten nga idhujt.
”Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin. Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.
”Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin; dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.
”Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.
”Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: ''Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?''.
”Dhe iu dha t'i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin. Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t'u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre, dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
”Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: ''Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet, do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj''.
”Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj. Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: ''Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut''. Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.
”Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.
”Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë''.
”