23 – Dashuri
Këto janë fjalët e shenjta të Zotit të Plotfuqishëm.
Ne nuk jemi të interesuar për fjalët e njerëzve.
Për këdo që e do Zotin... kjo është ajo që thotë Zoti për: Dashuri.
Këto janë fjalët e shenjta të Zotit të Plotfuqishëm.
Ne nuk jemi të interesuar për fjalët e njerëzve.
Për këdo që e do Zotin... kjo është ajo që thotë Zoti për: Dashuri.
Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.
”Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona. Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.
”Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
”Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.
”Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.
”Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
”Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd".
”Në rast se takon kaun e armikut tënd ose gomarin e tij që ka humbur rrugën, do t'ia kthesh atij. Në rast se sheh gomarin e atij që të urren të shtrirë për tokë nën barrën, ruhu se e braktis, por ndihmo të zotin ta zgjidhë.
”Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri,
”Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij. Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
”Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
”Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje. Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje. Nuk do t'i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t'i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.
”(Sepse Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut).
”Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.
”Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij, por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t'u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.
”që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje. Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.
”"Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.
”Por në rast se do t'i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt,
”ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
”Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora. Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".
”Por secili do të japë nga pjesa e tij simbas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.
”Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.
”dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t'i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".
”Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt".
”Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet.
”Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet. Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij. Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet. Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.
”Me t'u nisur djaloshi, Davidi u ngrit nga krahu jugor, ra përmbys tri herë me fytyrë për tokë; pastaj të dy puthen me njeri tjetrin dhe qanë bashkë; por Davidi qau më tepër. Pastaj Jonathani i tha Davidit: "Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit; Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi". Pastaj Davidi u ngrit dhe iku; dhe Jonathani u kthye në qytet.
”Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
”Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme. Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
”Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t'u mësojë të përulurve rrugën e tij.
”Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
”Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.
”O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë. Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë. O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
”Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
”Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë. Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij. Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.
”Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
”Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
”Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.
”Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.
”Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.
”Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
”Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
”Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
”Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve. Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.
”Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.
”Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!
”Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
”Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
”Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
”Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
”Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty. Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të. Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?
”Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.
”Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
”Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
”Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.
”Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.
”Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.
”Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.
”Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
”Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
”Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
”Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.
”Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.
”Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.
”Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.
”Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.
”Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.
”Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.
”Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.
”Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.
”Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.
”Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
”Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi. Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.
”Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
”Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
”Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë. Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
”Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
”Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë. Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
”Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë, sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.
”Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
”Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.
”Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.
”Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh: gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.
”Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore. Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.
”Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.
”Kantiku i kantikëve që është i Salomonit. Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera. Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat. Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.
”Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit. Faqet e tua janë të bukura me ornamente, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh. Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi. Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj. Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia. Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit. Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave. Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.
”Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave. Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave. Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshëruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time. Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria. Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria. Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon. Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat. I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.
”I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja! Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku. Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës. Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja. O pëllumbesha ime, që rri në të çarat e shkëmbinjve, në strukat e rrëmoreve, ma trego fytyrën tënde, më bëj ta dëgjoj zërin tënd, sepse zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme". I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim. I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve. Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.
”Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t'i pëlqejë. Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
”Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad. Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë. Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege. Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima. Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve. Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit. Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.
”Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate. Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat! Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit. Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur. Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo, me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira. Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani. Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!
”Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur! Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës. E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri? I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.
”Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria. Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?
”I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta. Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb. Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë. Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët. Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire. Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat. Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.
”Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve.
”Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit.
”Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti. Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë. Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave. Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut. Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua. Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron! Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile. Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve, dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.
”Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron. Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra! Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time. Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.
”Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë!
”O bija të Jerzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë. Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë.
”Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon. Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri.
”Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur,
”Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike.
”I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.
”I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.
”A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?
”në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.
”Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe.
”Shumë kohë më parë Zoti m'u shfaq duke thënë: "Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.
”Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
”Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
”Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri. Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.
”O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?
”Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.
”Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.
”"Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj. Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.
”''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen. Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë. Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.
”por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës. Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.
”Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb". Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin. Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të. Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua.
”Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd". Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej''.
”''Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t'ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej. Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç'bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.
”Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja.
”Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.
”''Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t'ju masin të tjerët. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri", kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.
”Gjithçka, pra, që ju dëshironi t'ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.
”Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!''.
”dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.
”Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën? Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën. Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë''.
”''Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;
”Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ''Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?''. Jezusi i tha: ''Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
”ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.
”Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''.
”Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.
”por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.
”Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".
”Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
”Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë". Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?". Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.
”Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni". Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?". Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".
”iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
”Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''.
”Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ''Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve''.
”por kjo s'duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave''.
”Dhe kur nisni të luteni, nëse keni diçka kundër ndokujt, faleni, që edhe Ati juaj që është në qiejt, t'ju falë mëkatet tuaja. Por në se ju nuk falni, as Ati juaj, që është në qiejt, nuk do t'jua falë mëkatet tuaja''.
”dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta''. Atëherë skribi i tha: ''Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s'ka asnjë tjetër përveç tij; dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet''.
”Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.
”Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''.
”Por unë po ju them juve që më dëgjoni: ''T'i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë. Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën. Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë. Por, ashtu siç dëshironi që t'ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.
”Por po t'i doni ata që ju duan, ç'meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët. Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t'jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t'u kthehet aq sa dhanë.
”Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur. Jepni dhe do t'ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t'ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t'ju matet edhe juve gjithashtu''.
”Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm. Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t'ia lajë me lot këmbët dhe t'ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t'ia puthte e t'ia vajoste me vaj erëkëndshëm.
”Dhe Jezusi i tha: ''Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?''. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë''. Dhe Jezusi i tha: ''Gjykove drejt''. Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: ''A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m'i lau këmbët me lot dhe m'i fshiu me flokët e kresë. Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m'i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm. Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak''.
”Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''.
”Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri. Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem". Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''. Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''.
”''Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti, dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit. Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty. Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet''.
”Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: ''Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin. Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit; dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve''.
”U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt". Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.
”Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit''.
”Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''.
”Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet''.
”Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''.
”dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar''.
”Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben. Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
”Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.
”Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
”Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.
”Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.
”Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
”Jezusi qau. Atëherë Judenjtë thanë: ''Shih, sa e donte!''.
”Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.
”Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
”Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
”Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni.
”Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.
”Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''.
”''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.
”Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t'i dëftehem atij''.
”Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.
”Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.
”Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.
”Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.
”Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.
”Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta''.
”Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.
”Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,
”Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura, dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.
”Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''. Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.
”Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ''Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka''.
”Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"''.
”Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij. Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
”Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
”Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
”Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
”Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin. Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë, të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
”Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni. Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur. Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
”Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ''Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''. ''Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur''. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
”Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin. Sepse urdhërimet: ''Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo'', dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
”Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet.
”Por ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Ose përse e përbuz vëllanë tënd? Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit. Sepse është shkruar: ''Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!''. Kështu, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet.
”Prandaj të mos e gjykojmë më njeri tjetrin, por më tepër gjykoni këtë: mos i vini gur pengese ose skandal vëllait. Unë e di dhe jam plotësisht i bindur në Zotin Jezus, se asnjë gjë nuk është e ndyrë në vetvete, por për atë që çmon se diçka është e ndyrë, për atë është e ndyrë. Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të një ushqimi, ti nuk ecën më sipas dashurisë; mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd atë për të cilin Krishti vdiq.
”Le të ndjekim, pra, ato që ndihmojnë për paqe dhe për ndërtimin e njëri-tjetrit.
”Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes. Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim, sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: ''Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua''. Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë. Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit, që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht. Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.
”Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur të shenjtë; kishat e Krishtit ju përshëndesin.
”Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.
”Por, sikurse është shkruar: ''Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë''.
”Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t'ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?
”Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet. Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.
”Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.
”Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.
”Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë; sikurse edhe unë vetë përpiqem t'u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen.
”që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
”Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë. Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet,
”Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.
”Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,
”Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!
”Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur; dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.
”por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime, me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur, me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq; si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s'kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.
”se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre. Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre, dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.
”Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit. Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj. Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.
”Sepse, në qoftë se ekziston gatishmëria për të dhënë, ai është i mirëpritur sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka.
”U tregoni atyre provën e dashurisë suaj dhe pse mburremi me ju edhe përpara kishave.
”Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.
”Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush.
”Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
”Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju. Përshëndetni njeri tjetrin me një puthje të shenjtë,
”Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen.
”Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
”sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s'kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.
”Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t'i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''. Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.
”Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
”Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.
”Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti. Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.
”Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet. Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.
”Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. Prandaj, sa të kemi rast, le t'u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.
”sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,
”Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve, nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia,
”Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),
”Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.
”që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
”Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
”Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t'i japë diçka atij që ka nevojë. Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t'u japë hir atyre që dëgjojnë. Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit. Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
”Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur, edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.
”nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!
”Ju, burra, t'i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,
”Kështu burrat duhet t'i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.
”''Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm''. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.
”Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ''Ndero babanë tënd dhe nënën tënde'', ky është urdhërimi i parë me premtim, ''që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe''. Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit. Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,
”Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht. Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.
”Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht. Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,
”Pra, në qofte se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme. Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.
”Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.
”Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.
”E falenderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju, sepse morëm vesh për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve,
”Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha,
”që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarësisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,
”Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi. Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.
”Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t'i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.
”Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre. Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin. Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.
”Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t'u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit,
”Ecni me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën. Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t'i përgjigjeni gjithsecilit.
”Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush, për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Amen.
”Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin. Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë.
”Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni. Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t'i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush. Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë. Vështroni se mos dikush t'ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
”Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron, aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni. Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,
”Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit.
”Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.
”kështu hiri i Zotit tonë teproi pa masë me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin.
”Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.
”Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
”Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.
”E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë; dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim,
”Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,
”Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
”sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s'e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.
”Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,
”Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë: pleqtë të jenë të përmbajtur, dinjitozë, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim. Gjithashtu edhe gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës, që t'i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre, të jenë fjalëpakë, të dlira, t'i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet. Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur, duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri, një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju.
”U kujto atyre që t'u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë, të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve. Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin. Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit, ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,
”E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia, sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,
”Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë. Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh, më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;
”sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.
”sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre''.
”Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.
”sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen''. Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t'ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati? Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij. Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t'i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?
”Dashuria vëllazërore le të mbetet. Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj! Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup.
”Dhe mos harroni bamirësinë dhe t'u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.
”Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,
”Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
”Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.
”Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur, dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfërit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'', a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija? Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
”Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë; por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
”sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
”Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thothë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka? Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.
”Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg! Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena.
”Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.
”Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija, Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.
”Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja? Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni. Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.
”Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: ''Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve''. Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë! Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.
”Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.
”Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.
”Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.
”Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër,
”Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje, posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,
”Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin. Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve,
”Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. ''Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij''. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.
”Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës, pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.
”dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse ''dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh''. Jini mikpritës njëri për tjetrin, pa murmuritje. Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë.
”Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithënjeri tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë ne kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.
”Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur dashurie. Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus Amen.
”Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t'i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë, mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.
”Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
”Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë. Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë. Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
”Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,
”Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.
”Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,
”Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje. Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete. Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.
”Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.
”Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona. Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin. Askush s'e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.
”Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari. Po të thotë dikush: ''Unë e dua Perëndinë'' dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh? Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.
”Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai. Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.
”hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri.
”Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin. Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.
”ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme. Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim, por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.
”dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.
”Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.
”Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
”Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.
”Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t'i godasë më dielli, as kurrfarë vape, sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t'i kullosë dhe do t'i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre''.
”Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.
”Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan''. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ''Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja''. Dhe më tha: ''Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike''. Edhe më tha: ''U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t'i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës. Kush fiton do t'i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir.
”