01 – Bibla e Shenjtë

Këto janë fjalët e shenjta të Zotit të Plotfuqishëm.
Ne nuk jemi të interesuar për fjalët e njerëzve.
Për këdo që e do Zotin... kjo është ajo që thotë Zoti për: Bibla e Shenjtë.

Top 3 vargjet më domethënëse

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.

Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.

Çdo varg në rend kanonik – 343 pasazhe

Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"".

Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.

Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.

Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë". Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?

Nuk do t'i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t'u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis.

Ja, unë ju mësova statutet dhe dekretet, ashtu si Zoti, Perëndia im, më ka urdhëruar, me qëllim që t'i zbatoni në vendin në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë. Do t'i respektoni, pra, dhe do t'i zbatoni në praktikë; sepse kjo do të jetë dituria dhe zgjuarsia juaj në sytë e popujve, të cilët, duke dëgjuar të flitet për të gjitha këto statute, kanë për të thënë: "Ky komb i madh është një popull i ditur dhe i zgjuar!".

veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: "Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t'ua mësojnë bijve të tyre".

Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.

Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;

Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.

Kështu, pra, ai të bëri të ulesh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me manna që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s'e kishin njohur kurrë, me qellim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.

Prandaj zbato urdhërimet e Perëndisë, të Zotit tënd, duke ecur në rrugët e tij dhe duke ia pasur frikën;

Zoti më foli akoma, duke thënë: "Unë e pashë këtë popull; ja ai është një popull kokëfortë;

Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.

"Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.

Do t'i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t'i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve; do t'ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh; do t'i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua,

Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.

Do të kujdeseni të zbatoni në praktikë tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t'u shtoni as do t'u hiqni asgjë".

"Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli, dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: "Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t'u shërbejmë", ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt. Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t'i bindeni zërit të tij, do t'i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.

Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve,

Sot Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të zbatosh në praktikë këto statute dhe dekrete; ki kujdes që t'i zbatosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

"Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t'i zbatuar në praktikë!". Tërë populli do të thotë: "Amen".

"Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut;

Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.

Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji".

sepse do t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu,

Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji,

"Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje; sepse unë e njoh frymën tëndë rebele dhe fortësinë e qafës sate. Ja, sot kur akoma jam i gjallë midis jush, ju u bëtë rebelë kundër Zotit; aq më tepër do të bëheni mbas vdekjes sime!

Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju.

Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret". Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.

sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im. Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.

"Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër".

Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.

Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtur me gjithë zemër të studjonte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.

Atëherë tërë ata që dridheshin nga fjalët e Perëndisë të Izraelit u mblodhën rreth meje për shkak të mëkatit të atyre që ishin kthyer nga robëria; dhe unë mbeta i ulur dhe i shtangur deri në blatimin e mbrëmjes.

Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.

nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit.

Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë. Ti, o Zot, do t'i mbrosh dhe do t'i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,

Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet. Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty. Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua. Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time". E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë. Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time, ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:

nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,

Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur. Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre. Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia! Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij. Ata që urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit; prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.

Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme, të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut. Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave.

Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.

Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.

Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.

Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.

Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.

Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.

Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.

Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.

Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.

Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.

Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.

Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.

Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.

Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

"Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.

duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;

Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;

Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.

Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,

Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.

Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.

Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.

Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.

Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai. Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.

Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: "Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut".

Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.

Atëherë ai tha: "Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni, pra, por pa kuptuar, shikoni, pra, por pa dalluar.

Përmbahuni ligjit dhe dëshmisë! Në rast se një popull nuk flet në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai nuk ka dritë.

Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë. Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit, që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime", dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese. Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"". Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to, kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,

Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë".

Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?

"Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia", thotë Zoti. "Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t'i përlajë të tërë, një frymë do t'i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë.

"Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata", thotë Zoti: "Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu", thotë Zoti, "tani e përgjithmonë".

Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.

kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua. Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: "Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund

O Zot, nuk janë sytë e tu për të vërtetën? Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen. Prandaj thashë: "Ata janë me siguri të varfër, janë pa mend sepse nuk njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre.

Dëgjo, o tokë! Ja, unë do të sjell mbi këtë popull një gjëmë, vetë frytin e mendimeve të tij, sepse nuk u kanë kushtuar kujdes fjalëve të mia dhe as ligjit tim, por e kanë hedhur poshtë.

por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur". Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.

Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.

Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua gëzimi dhe gazi i zemrës sime, sepse emri yt kërkohet nga unë o Zot, Perëndi i ushtrive.

Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!

Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë qytet dhe mbi të gjitha lagjet e tij të jashtme tërë të keqen që shqiptova kundër tij, sepse kanë fortësuar qafën e tyre për të mos dëgjuar fjalët e mia".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.

"A nuk është fjala ime si zjarri?", thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?

Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar.

Ti do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Në rast se nuk dëgjoni duke ecur sipas ligjit tim që kam vënë para jush dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar), unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës".

Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.

Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni. Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti.

Ja do të vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t'i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre", thotë Zoti. "Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve", thotë Zoti: "Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: "Njihni Zotin!", sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi", thotë Zoti. "Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre".

Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?

Do t'i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t'i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.

Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.

Mjerë ata, sepse janë larguar prej meje! Shkatërrim për ta, sepse janë rebeluar kundër meje! Unë do të doja t'i shpengoja, por ata thonë gënjeshtra kundër meje.

Ja, do të vijnë ditët", thotë Zoti, Zoti, "gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.

Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin. E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive. Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin", thotë Zoti i ushtrive,

Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''.

''Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar. Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka. Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t'u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t'i vërë në praktikë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.

Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.

Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?". Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: "Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh''.

Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej. Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej''.

Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua. Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri. Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.

Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.

Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë. Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t'i shëroj. Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë. Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t'i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t'i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan! Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit. Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës. Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme. Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.

Por ai duke u përgjigjur u tha: ''Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.

Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''.

Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''.

Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.

Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ''Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: ''U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin''.

Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''. Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? Mbjellësi mbjell fjalën. Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.

Por Jezusi, sapo dëgjoi ç'u tha, i tha kryetarit të sinagogës: ''Mos ki frikë, vetëm ki besim!''.

duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''.

Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: ''Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse kujtdo që do t'i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t'i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë''.

Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?

Por më parë duhet që t'u përhapet ungjilli gjithë popujve.

Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.

Pastaj u tha atyre: ''Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.

Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.

edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''.

Por Jezusi u përgjigj duke thënë: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"''.

Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.

Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them? Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t'i vë në praktikë, unë do t'ju tregoj kujt i ngjan. Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s'e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb. Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh''.

Dhe ai tha: ''Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë. Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën; por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen. Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk arrijnë të piqen. Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri''.

Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e vënë në praktikë''.

Pastaj u tha të gjithëve: ''Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç'dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje? Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë.

Pastaj i tha një tjetri: ''Ndiqmë!''. Por ai përgjigjej: ''Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim''. Jezusi i tha: ''Lëri të vdekurit t'i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë''. Akoma një tjetër i tha: ''Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime''. Jezusi i tha: ''Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë''.

Por ai u tha: ''Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë''.

Dhe një njeri e pyeti: ''Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?''. Ai u tha atyre: ''Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.

''Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im. Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty. Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.

Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t'i dëgjojnë ata". Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen". Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish"''.

Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.

Atëherë ai u tha atyre: ''O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.

Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.

Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të''.

Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t'a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''.

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar. Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.

Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''.

Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: ''Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''.

Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time. Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës. Kurse mua, duke qenë se ju them të vërtetën, nuk më besoni. Cili nga ju më bind për mëkat? Nëse flas të vërtetën, përse nuk më besoni? Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë''.

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë''.

Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.

Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të, që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''. Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''. Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të. Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.

Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.

Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall. Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''.

Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.

''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t'i dëftehem atij''.

Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.

Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet.

Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë.

Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.

Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.

Atëherë Pilati i tha: ''Ti, pra, qenke mbret?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim''.

Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ''Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.

Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.

Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.

Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.

Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt. Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.

duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni; në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.

Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë, siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,

Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''. Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,

Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes? E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre. Ç'të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë? Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: ''Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh''.

siç është shkruar: ''Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.

Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.

por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç'ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.

Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.

Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.

Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: ''Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!''. Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: ''O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?''. Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

siç është shkruar: ''Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme''.

Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.

Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata; sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.

Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.

Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë, por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,

Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore. Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht. Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.

Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.

Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.

Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maranatha a.

Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin; për këta një erë vdekjeje në vdekje, po për ata erë jete në jetë. Dhe kush është i zoti për këto?

i cili na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë. Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej, sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës? Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë.

Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.

Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.

Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t'u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.

Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës.

Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër, i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t'ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.

Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.

Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t'i praktikuar''.

Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që varet në dru''), që bekimi i Abrahamit t'u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.

Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: ''Edhe pasardhësve'' si të ishin shumë, por të një të vetme: ''Dhe pasardhjes sate'', pra Krishti.

Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.

A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t'ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t'u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,

që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit,

që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,

Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,

që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot.

në qoftë se qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar çdo krijese që është nën qiell; të cilit unë, Pali, iu bëra shërbenjës.

Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,

Dhe duke u lutur në të njëtën kohë edhe për ne, që Perëndia të hapë edhe për ne derën e fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit, për shkakun e të cili jam edhe i burgosur,

Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë,

Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.

Prandaj edhe ne e falenderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni.

kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t'u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,

Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij. Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t'u dërgojë atyre një gënjim që do t'i bëjë të gabojnë, që t'i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!

Dhe ne e dimë se ligji është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet; duke ditur këtë, që ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të pabesët dhe të rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit, për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë, sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi, që më është besuar.

Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t'ia arrijnë njohjes të së vërtetës.

por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.

Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve,

Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.

Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.

Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.

Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,

në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.

Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.

Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,

të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.

dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i sjellin drejt përrallave.

që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.

Kjo dëshmi është e vërtetë; prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim,

Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë:

Prandaj ne duhet t'u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga. Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë, si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan,

Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: ''Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë, ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet. Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia; kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time''. Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan. Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: ''Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time'', ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t'i japim llogari.

Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë, dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme, dhe po u rrëzuan, është e pamundur t'i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.

''Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t'i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t'i shkruaj në mendjet e tyre'',

Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët. Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve. Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?

Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.

Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,

sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet.

Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj. Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.

O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: ''Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë''? Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: ''Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve''. Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë!

Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër, sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë. Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Zotit mbetet përjetë, dhe kjo është fjala që ju është shpallur.

posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,

Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: ''Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen''. Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.

Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?

Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë. Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja, duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.

Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Dhe në lakminë e tyre do t'ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.

Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t'u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre. Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve.

Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij. Ai që thotë: ''Unë e kam njohur atë'', dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të. Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.

Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.

Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.

Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.

Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.

Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.

Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin. Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.

Dhe dua t'ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan.

Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.

Unë i njoh veprat e tua, mundin tënd dhe durimin tënd edhe se ti s'mund t'i durosh të këqijtë; ti i vure në provë ata që pretendojnë se janë apostuj dhe nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë.

Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.

Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime. Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s'kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.

Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t'ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli, dhe thoshte me zë të madh: ''Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave''.

Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën''.

Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij; Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".

Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.

dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjitha shpendët u ngopën me mishrat e tyre.

Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t'i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t'i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.

Albanian - Shqip - SQ

SQ'BSS - Shqip Albanian Biola Unbound - 2002

Publisher: Public Domain
https://www.biblegateway.com/versions/Albanian-Bible-ALB/
Languages are made available to you by www.ipedge.net